TIRANË, 12 maj /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me programin e donatorëve, shumë shpejt do të përfundojnë punimet për ndërtimin e Qendrës së re shumëfunksionale komunitare në Devoll, të Korçës.
Qendra e re do të ofrojë kujdes shoqëror sipas standardeve të Ofrimit të Shërbimit të Kujdesit Shoqëror në Qendrat Komunitare Shumëdisiplinore, për çdo fëmijë dhe familjet e tyre, duke përfshirë edhe të miturit në konflikt me ligjin; të rriturit, me probleme sociale që i përkasin grupeve vulnerabël si romë dhe egjiptianë; të rriturit me probleme sociale për shkak të varfërisë, të cilët janë përfitues të ndihmës ekonomike; personat me aftësi të kufizuara; viktimat e dhunës në familje dhe të moshuar në nevojë.
Gjatë dy viteve të fundit, në përgjigje të efekteve të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, por edhe në kuadër të reformës së shërbimeve të kujdesit social dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, për herë të parë Bashkia Devoll ofroi shërbime të integruara të kujdesit social dhe shëndetësor në shtëpi për personat vulnerabël.
Një ekip multidisiplinar i përbërë nga një fizioterapist, një infermiere dhe një punonjës social ofron shërbim të specializuar për personat me aftësi të kufizuara dhe i mbështet ata me pajisje ndihmëse. Ky shërbim tanimë do të zgjerohet dhe fuqizohet falë qedrës së re ndëruar nga Bashkia Devoll me mbështetjen financiare dhe teknike të UNDP në kuadër të programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Përmirësimi i Ofrimit të Shërbimeve Lokale të Mbrojtjes Sociale”, financuar nga Fondi i Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm.
Projekti mbështet 6 bashki për të planifikuar, administruar dhe zbatuar modele inovative të shërbimeve të integruara të kujdesit social dhe shëndetësor. Nga këto ndërhyrje përfitojnë rreth 10,000 qytetarë.
/a.a/













