Ballina Ekonomi

Llogaritë në mikrofinancë do të kenë numrin IBAN

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka miratuar rregulloren që mundëson pajisjen me numrin ndërkombëtar të llogarisë bankare (IBAN) edhe të llogarive të institucionet financiare jobanka (mikrofinanciare).

Ky numër llogarie duhet t’i nënshtrohet të njëjtit standardizim dhe rregullësi si formati IBAN, i përdorur deri më tani vetëm për llogaritë bankare. Mundësimi i pajisjes me numrin IBAN edhe për llogaritë në institucionet financiare jobanka është një nga elementët që krijon hapësirat për të zgjeruar konkurrencën në tregun e shërbimeve të pagesave.

Sipas rregullores, IBAN në Republikën e Shqipërisë do të përbëhet nga 28 karaktere alfanumerike. Përdorimi i IBAN do të jetë i detyrueshëm për identifikimin e llogarive të pagesës në transfertat e kreditit, debitimit direkt dhe shërbime të tjera pagesash të cilat procesohen në sistemet kombëtare të klerimit dhe shlyerjes së pagesave.

Kur klienti nuk paraqet IBAN të llogarisë së pagesës së përfituesit të pagesës, institucioni mund të refuzojë të kryejë pagesën ose mund të zbatojë komisione shtesë për kryerjen e transfertës.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNisma Adriatiko-Joniane, Rama: Europa, zgjedhja e parë me vullnet të lirë për Shqipërinë
Artikulli tjetërMeta takon nipin e Ismail Qemalit: Kënaqësi të dëgjoja për lidhjen e ngushtë me vendlindjen