TIRANË, 9 shtator/ATSH/ – Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në procesin e zgjidhjes së problemit të klasave kolektive, duke mara një sërë masash për të mundësuar një mirarsimim të 130 mijë nxënësve që studiojnë në këto klasa.
Në lidhje me akuzat e opozitës për mbyllje të disa shkollave, ministrja e Arsimit, Sportitdhe Rinisë, Lindita Nikolla tha se “ne po riadresojmë problemin e klasave kolektive, që do të thotë janë klasa me fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Ne po mundësojmë një arsim më të mirë për këta fëmijë, ne jo vetëm që jemi të vetëdijshëm që është shumë i vështirë, por shumëfish i vlefshëm për mirarsimimin e 130 mijë fëmijëve që studiojnë në këto klasa kolektive”, nënvizoi Nikolla.
Për të ofruar një cilësi sa më të mirë të mësimdhënies në këto klasa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla theksoi se mësuesit që punojnë në këto klasa do të ndjekin një program të dedikuar trajnimi.
“Pra janë një set hapash që ne kemi ndërmarrë ashtu sikurse edhe pjesa tjetër që për ato klasa që ne nuk ja dalim që t’i mbyllim dhe të bëjmë rajonalizimin apo racionalizimin e tyre, ne do të kemi një program të dedikuar trajnimi për mësuesit që punojnë në këto klasa. Mësuesit do të jenë në sistem, qoftë mësues i klasave kolektive, mësues ndihmës etj”, theksoi Nikolla.
Sipas ministres, ky problem duhet të zgjidhet hap pas hapi dhe jo nëpërmjet deklaratave, duke theksuar se Ministria e Arsimit ka rreth 8 muaj që po punon me ekipe të dedikuara për të parë se si janë kushtet e klasave kolektive.
“Kjo është një gjë që do të zgjidhet hap pas hapi dhe që nuk zgjidhet as me deklarata dhe as thjesht duke ndërtuar fjali të bukura, por zgjidhet atje në terren, ku ne kemi 8 muaj që punojmë me ekipe të dedikuara që kanë parë se çfarë ndodh në klasë, si janë kushtet e klasës kolektive, cila është rruga që përshkruajnë fëmijët etj”, përfundoi Nikolla.
Nikolla shtoi se ky do të jetë viti shkollor që rikthen klasat sportive. 204 klasa sportive do të jenë pjesë e arsimit parauniversitar në futboll, basketboll, volejboll, etj. /e.caushi/






















