TIRANË, 12 prill /ATSH – I. Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të rihapë hetimin ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.
Trupa gjykuese pasi dëgjoi palët mori vendimi për rihapjen e hetimit gjyqësor, si dhe pranoi provat shtesë të dorëzuara nga Imeraj.
KPK konfirmoi në detyrë prokuroren Imeraj në prill të vitit 2021, me arsyetimin se përmbush të tre kriteret: ligjshmërinë e pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik kërkuan shkarkimin nga detyra të kryeprokurores së Tiranës, me pretendimin se nuk përmbush asnjërin nga kriteret.
Në seancën e 1 prillit, Imeraj kërkoi riçeljen e hetimit duke marrë në cilësinë e provës aktet në fashikullin e depozituar në Kolegj, si dhe aktet e reja të referuara prej saj në mbështetje të pretendimeve të ngritura.
Gjithashtu, ajo i kërkoi Kolegjit që t’i drejtohet institucioneve përkatëse për marrjen e informacioneve shtesë të nevojshme, si dhe thirrjen e dëshmitarëve, në kuadër të një hetimi të plotë dhe të thelluar.
/r.e/






















