TIRANË, 28 mars/ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje sot demokratëve për bashkim, ndërsa theksoi se “çdo anëtar e mbështetës të lërë mënjanë çdo zemërthyerje dhe të bashkojmë energjitë tona për një betejë të rëndësishme që na pret përpara , atë me regjimin më të rrezikshëm që bazon veprimtarinë e tij në vjedhjen dhe krimin”.
Gjatë takimit të “Foltores” në Tepelenë, Berisha tha “prania sot këtu e demokratëve të cilët kanë pasur qëndrime të ndryshme nga njëri–tjetri është një mesazh i shkëlqyer”.
“8 vite në opozitë, 8 vite trysni, diskriminim, pushime nga puna, kjo është një lumë sakrificash që i bashkon demokratët”, tha Berisha.
Më tej Berisha u shpreh se “është detyra jonë dhe misioni ynë t’i shpjegojmë çdo qytetari se kjo që po ndodh nuk është nga lufta, nuk është nga natyra, por mbi të gjitha nga vjedhja e qeveritarëve. Nafta shitej në Milano 1.7 euro. Në Shqipëri nafta shkoi 2.2 euro. Italia nuk nxjerr naftë, Shqipëria nxjerr 1 mln ton naftë. Po nxore 1 mln naftë dhe konsumon gjithsej 700-800 mijë ton, ti ke mundësi fare mirë që naftën ta fusësh në çmimet e rregulluara të energjisë dhe qytetarët e tu të mos pësojnë në këtë mënyrë. 13 vende të BE-së kanë ulur akcizat, TVSH-të apo masa të tjera për të lehtësuar qytetarët. Këtu si në asnjë vend tjetër nafta takohem me 4 taksa, 3 tarifa”, tha Berisha.
/k.s//a.a/























