Ballina Aktualitet

PD: Librat falas, mashtrimi i radhës

TIRANË, 3 shtator /ATSH – I. Vata/ – Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi e ka konsideruar ndarjen e librave falas për klasën e parë deri në të katërt si një mashtrimi i radhës i qeverisë.

Vokshi thekson se Partia Demokratike ka prioritet të prioriteteve të saj arsimin dhe do të sigurojë tekste falas për të gjithë fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm.

Po ashtu Vokshi i konsideron libra të përdorur dhe jo falas madje shton se nxënësit nga klasa e 5-12 do blejnë libra me çmime të kripura.

“Shpërndau libra që nuk janë falas, janë në përdorim, vetëm për nxënësit e klasave 1-4, ndërkohë që të gjithë nxënësit e tjerë nga klasat 5-12 do duhet të blejnë librat me çmimin shumë herë më të lartë të rritur nga Edi Rama”, tha deputetja e PD-së.

Gjithashtu Vokshi tha se “Rama mashtroi, pasi asnjë vend i rajonit apo i Europës nuk i jep librat në përdorim, por i jep falas, kështu edhe vendet fqinje si Kosova (me të cilën kemi edhe tekste e përbashkëta), Greqia, Maqedonia etj”.

Deputetja Vokshi thekson se “prindërit e nxënësve të klasave 1-4 që do të marrin librat në përdorim nga shteti, duhet të kenë të qartë që nëse fëmijët i zhgarravisin apo i grisin, do gjobiten dhe paguajnë shumë më shumë sesa do të ishte vlera nëse ato do i kishin blerë tekstet vetë”.

Në fund deputetja e PD-së tha se Rama sot nuk foli sot për rritjen e çmendur, sipas saj, të çmimit të librave shkollorë nga 35-50%. “Rama nuk mund të thotë dot se skemën për librat falas nuk e shtrin dot në të gjithë arsimin e detyrueshëm, siç Partia Demokratike ka propozuar në Kuvend”, – tha Vokshi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInvestimet kanë mbështetur rritjen ekonomike në vendet e rajonit
Artikulli tjetërBerati “magjeps” 95 mijë vizitorë në 243 ditë