Ballina Flash

“Dita e liqenit” në Shkodër: muzikë, panair e aktivitete dedikuar fëmijëve

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Bashkia Shkodër organizon më 15 gusht, “Ditën e liqenit”, një aktivitet që vjen si një thirrje për rikthim në traditë dhe që promovon liqenin e Shkodrës në një dimension tjetër.

“Kjo ngjarje pritet të japë një shije të freskët të çdo elementi që e karakterizon, një rrugëtim që gërsheton etnon me ekon dhe bashkëkohoren”, shkruhet në faqen online të Bashkisë Shkodër.

Programi përfshin shëtitjet me varka e kanoe, një kënd për fëmijët ku në gurët tipikë të asaj zone do të pikturohen imazhe të ndryshme në lidhje me liqenin, panairin e artizanëve me produkte lokale që vënë në pah autenticitetin e kësaj zone dhe instalacionin artistik “Zogjtë”, që është një thirrje për të rinjtë që kanë krijuar kazafe mendore ndërkohë që në vendin e tyre dita-ditës po humbasin një liri që supozohet se do ta gjejnë në një vend tjetër.

Në muzg do të mbahet një koncert i hapur që ndërthur traditën me notat elegante të pianos nga pianisti i mirënjohur Robert Bisha.

Sigurisht, kjo do të shoqërohet me pamjet dehëse të liqenit të Shkodrës dhe peizazheve të gjalla të jetës në fshat.

Koncerti do të jetë i hapur për çdo banor të këtij fshati por edhe per çdo turist kurioz që dëshiron të ketë kontakt me diçka që shkon përtej klisheve.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria, ndër 5 ekipet olimpike që siguruan medalje për herë të parë në Paris 2024
Artikulli tjetërEuroja arrin nivelin më të ulët historik ndaj lekut