Ballina Flash

“Logu i Bjeshkëve”, si manifestim i traditave e rikthim tek rrënjët

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ditën e diel, në Qafë të Predelecit u mbajt manifestimi tradicional “Logu i Bjeshkëve”. Ky është festivali më unik, ku këngët e bukura të traditës, vallet e trashëguara ndër breza, folklori i pasur, etnografia madhështore dhe ritualet e lashta lidhin pjesëmarrësit thellësisht me rrënjët.

Është traditë tashmë që prej “Logut të Bjeshkëve” të zgjidhet vajza më e bukur. Për bukuroshën e Bjeshkëve garuan 12 vajza nga Kelmendi, andej e këndej kufirit. Juria zgjodhi “Miss Bjeshka 2024”, Liljana Lashaj nga Selca. Në këtë konkurim morën pjesë edhe 3 vajza nga Vuthajt e Kelmendit.

Çmimet e tjera shkuan për vajzat: Anxhelika Sterkaj – Zana e Maleve, Mary Camaj – Xhubleta më e bukur, Monika Ulaj – Shtojzovallja e Bjeshkëve, Mikejla Nonaj – Kërcimtarja e Logut, ndërsa vajza Nexhmije Dedushaj është zgjedhur për të konkuruar në “Miss Universe Albania”.

“Logu i Bjeshkëve” konsiderohet prej malësorëve si një rikthim tek rrënjët.

Në këtë manifestim, protagonist ishte xhubleta, veshja karakteristike e grave shqiptare, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ajo u shpalos në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional “Logu i Bjeshkëve”.

Ky kostum dhe dijebërja e tij ka udhëtuar gjatë në kohë, duke dëshmuar gjurmët e qytetërimit ilir, në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin atë në mënyra të ndryshme në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbolika që na sjellin mesazhe të cilat ende dhe sot, një pjese të tyre nuk u është dhënë shpjegim.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Arritje historike e ekipit olimpik, ky është suksesi i Shqipërisë
Artikulli tjetërSeminar ndërkombëtar për shqipen në 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës