Ballina Flash

Lea Ypi, anëtare e Akademisë Britanike

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Lea Ypi u bë e para shqiptare anëtare në Akademinë Britanike. Lajmin e ndau Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e cila e uroi shkrimtaren Lea Ypi për këtë arritje të rëndësishme.

Këtë vit Akademia Britanike ka mirëpritur 86 anëtarë të rinj ku ndër ta, dallohet edhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi.

Presidentja e Akademisë Britanike Julia Black ka vlerësuar lart autoren shqiptare, duke i uruar mirëseardhjen në hapësirën më të lartë të kulturës britanike.

Lea Ypi është fituesja e parë e Çmimit “Lumo Skëndo” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me librin e saj “Të lirë”.

Lea Ypi ka lindur në Durrës. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe Profesore e Filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Është diplomuar për Filozofi dhe Letërsi nga Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Europian.

Ndër botimet e saj të shumta janë “Global Justice and Avant-Garde Political Agency”, “The Meaning of Partisanship” (me Jonathan White), etj.. Vepra e saj është përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht dhe kinezisht (mandarinisht). Me studimet e saj ka marrë disa çmime ndërkombëtare.

Në gjuhën shqipe ka botuar dy libra: “Vetëm për vete” dhe “Të lirë”. Libri “Të lirë” është botuar edhe në anglisht dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOpozita protestë para bashkisë së Tiranës me çadra “Lironi Berishën”
Artikulli tjetërEksportet arritën 199 miliardë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit