TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më 27 qershor, vendosi të konfirmojë në detyrë subjektin e rivlerësimit, Aurel Zarka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.
Vendimi u arsyetua nga trupi gjykues i kryesuar nga Suela Zhegu, me Roland Ilian si relator dhe Genta Tafa Bungon si anëtare. Vendimi do t’i njoftohet subjektit Zarka, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Zarka dhe/ose Komisioneri Publik brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi duhet të depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mban funksionin e drejtuesit.























