Ballina Aktualitet

Mbahet ceremonia e festës të Republikës së Italisë

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ambasada e Italisë në Shqipëri organizoi sot një ceremoni me rastin e Festës së 78-të të Republikës së Italisë.

Në ceremoninë e mbajtur në sheshin “Italia” në kryeqytet, morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe figura të shquara të artit dhe kulturës.

“Festa Kombëtare e Italisë – Rroftë Italia”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga kjo ceremoni.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në urimin e tij për Ditën e Republikës së Italisë, u shpreh se, kjo është një festë për të celebruar lidhjen e fortë mes dy popujve tanë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se, e pranoi me kënaqësi ftesën e ambasadorit të Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, për të marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Festës Kombëtare.

“Një mbrëmje e bukur në nderim të Italisë mike, me të cilën Shqipëria gëzon marrëdhënie të shkëlqyera, shprehi e vlerave dhe botëkuptimeve të asaj çka ndajnë dy vende me histori të ndërtuar në themel të lirisë”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.

Republika Italiane lindi më 2 qershor 1946, me referendumin e thirrur për të zgjedhur formën institucionale për t’i dhënë vendit, i cili shënoi edhe hyrjen e grave në jetën politike italiane.

 

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Gjeorgjia planifikon legjislacion kundër LGBT+
Artikulli tjetërHasani takon zv/kryeministrin rumun: Rritje të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm