Ballina Ekonomi

BSH: Norma e interesit për kredi, e pandryshuar në 6.3%

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se norma e interesit për të gjitha kreditë e reja të akorduara gjatë këtij viti mbeti pothuajse e pandryshuar, në nivelin 6.3%.

Sipas BSH-së, norma për kreditë në monedhën vendase dhe në euro kanë ecur në drejtime të kundërta.

Kështu, norma e ponderuar e interesit për kreditë e reja në monedhën euro u rrit në 6.1% në fund të marsit, nga 5.7% në tre muajt më parë.

BSH informon se norma e interesit të kredive të reja në euro paraqet një prirje të qartë në rritje që nga fillimi i vitit 2022.

Ndërkohë që norma e interesit të kredive të reja në lekë ra në 6.3% dhe tregon një prirje rënëse që nga vlera 7.5% e regjistruar në muajin tetor të vitit 2022.

Një faktor përcaktues në rënien e normave të interesit ka qenë frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe sidomos rënia e yield-eve të Bonove të Thesarit.

Sipas BSH-së, numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat shënoi rritje me 3.6% krahasuar me një vit më parë. Rritja është vënë re në të tre segmentet e klientelës, por ishte më e theksuar tek “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” (rritje me 6.2%). Krahasuar me një vit më parë, numri i përgjithshëm i aplikimeve gjithashtu ka

rezultuar në rritje me 4.7%, e ardhur nga kategoria e “ndërmarrjeve të tjera” (rritje me 19.5%) dhe individët (rritje me 4.5%).

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Chatbots-et i përhapin apo i luftojnë fake news-et?
Artikulli tjetërNdahet nga jeta pas një komplikacioni shëndetësor, prokurori i Elbasanit, Durim Bedini