TIRANË, 8 maj/ATSH/ Në çdo 8 maj, kudo në botën e qytetëruar, përkujtohet Dita Botërore e Talasemisë.
Tema e Ditës Botërore të Talasemisë, për 2024-ën, është “Fuqizimi i jetëve, duke përqafuar progresin: Trajtim i barabartë dhe i arritshëm për të gjithë”.
Në këtë ditë, kujtohen të gjithë ata fëmijë, adoleshentë dhe të rritur, që u përballën me këtë sëmundje për shumë vite, kudo nëpër botë.
Talasemitë janë anemi hemolitike kronike (të shkatërrimit të gjakut) që karakterizohen nga ulja apo mungesa e një ose më shumë zinxhiresh polipeptidike të hemoglobinës (α, β, γ, δ). Ato bëjnë pjesë në grupin e madh të defekteve të hemoglobinës, të cilat trashëgohen në mënyrë autozomale recesive.
Vendet ku shfaqet më shpesh talasemia janë vendet e Mesdheut ku malaria ka qenë endemike, si Shqipëria, Greqia, Italia, Qipro e të tjera, por edhe në Azi dhe një pjesë Afrikës.
Sipas OBSH, sot 5% e popullsisë në botë është bartëse potenciale e gjenit patogen të hemoglobinës (njerëz të shëndoshë, që kanë trashëguar një gjen mutant nga një prind). Shqipëria është një vend me endemicitet të lartë të beta Talasemisë. Në vendin tonë, rreth 8- 9% e popullsisë janë bartës. Shpërndarja e bartësve është heterogjene dhe frekuenca më e lartë takohet në zonat e Ultësirës Perëndimore. (Lushnjë 7.3%, Berat 7.04%, Fier 9.96%, Sarandë 7.92% dhe Shkodër 0.72%).













