TIRANË, 22 prill/ATSH/ Në datat 18-19 Prill, 2024, u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” një performancë e veçantë dhe eksperimentale për skenën shqiptare. Shfaqja, e konceptuar dhe e krijuar nga Drejtori Artistik dhe performuesi Julian Bulku dhe autoret e teksit, Jora Vaso dhe Kleitia Vaso, ndërthur elementë të baletit modern, teatrit, dhe muzikës.
Muzika origjinale është kompozuar nga Alban Laro. Regjia skenike është e Inis Gjonit dhe teksti lexohet mjeshtërisht nga aktorët e mirënjohur Rajmonda Bulku dhe Bujar Asqeriu.
Autoret shprehin se vepra “trajton emigrimin, një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por si metaforë apo paralelizëm i largimit nga vendlindja me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë apo i fëmijërisë. Tema e pafajësisë lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në atdhe, pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë.”
Për Julian Bulkun, i njohur në skenën ndërkombëtare si balerin dhe koreograf, kjo performancë shënon shfaqjen e tij të parë personale në Shqipëri. Pas vitesh në skenat e Athinës dhe Londrës, ndër të tjera, si edhe pjesëmarrjes me sukses si koreograf në Eurovizion, ku ka përfaqësuar Shqipërinë dhe Greqinë dy vjet rradhazi, Juliani i ka dedikuar gjashtë muajt e fundit vënies në skenë të kësaj performance kontemporane, e cila sjell shumë elemente folklorikë shqiptare. Megjithatë, shfaqja është edhe personale, pasi pikënisja e saj është teksti origjinal i shkruar për shfaqjen, i cili përfshin, krahas referencave të shumta letrare e filozofike, edhe eksperiencat e jetës së tre krijuesëve.
Gjithashtu, muzika e Alban Laros, i biri i ikonës së muzikës së filmit shqiptar, kompozitorit Kujtim Laro, është krijuar enkas për performancën dhe përpunuar e masterizuar nga muzikanti dhe kompozitori Arsen P., i njohur në skenën ndërkombëtare për bashkēpunimet e tij me figura si Hans Zimmer, ndër të tjerë.
Një ndër veçantitë e shfaqjes, e ideuar nga Drejtori Artistik, është bashkimi i profesionistëve me performues amatorë, duke përfshirë ato që Juliani i quan “mamatë,” të cilat “sjellin një element qetësie dhe thjeshtësie femërore në një performancë të ngarkuar emocionalisht,” sipas autorit. Shfaqja shënon rikthimin në skenë pas 60 vitesh të mësueses së parë të Shkollës së Baletit, Nermin Strazimiri apo siç njihet ajo më mirë “Zyshë Piti.” Ajo pranoi të rikthehej në skenë e prekur nga fjalët e skenarit, i cili pasqyron përvojën njerëzore dhe, sipas Julianit, “bashkon dhimbjen dhe terapinë.” “Nga pafajësia në pafajësi” sjell në skenë për herë të parë edhe një djalë shumë të talentuar, Gean Arbanën, i cili është lexues dhe performues në shfaqje.
Premiera e shfaqjes u prit me duartrokitje dhe shumë emocione nga publiku, megjithëse pati difekte teknike në audio, shkaktuar nga aparaturat e Teatrit Eksperimental, të cilat u korrigjuan natën e dytë. Shfaqja pritet të vihet në skenë në qytete të tjera të Shqipërisë si edhe ne festivalë të artit dhe baletit kontemporan në Europë. Në maj, shfaqja do të transmetohet në një event ekskluziv në Tampa, Florida, SH.B.A organizuar nga kuratorja e artit me origjinë shqiptare, Odeta Xheka, në ambientet e galerisë së saj OXH Gallery.

















