TIRANË, 8 prill /ATSH/ Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, tha se, projektligji “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol” ka për qëllim përcaktimin e formës së organizimit, të rregullave të funksionimit dhe të administrimit të shërbimeve të “Albcontrol”, si një ent publik.
Sipas saj, aktualisht në Shqipëri, shërbimet e lundrimit ajror ofrohen nga shoqëria, Albcontroll, sh.a., shoqëri e themeluar në datën 31.12.1998, e organizuar në formën e një shoqërie tregtare, e cila funksionon në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Ndaj, theksoj Muçaj, objektivi kryesor i këtij projektligji është organizimi i Albcontrol-it në formën e një enti publik të pavarur, jobuxhetor, jofitimprurës, i cili vepron në interes publik dhe ofron shërbimet e lundrimit ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil, të ligjit “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, si dhe të akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tyre.
Muçaj shpjegoj sot gjatë diskutimit të këtij projektligji në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, se “Albcontrol-i ofron shërbimet e lundrimit ajror, duke përfshirë menaxhimin e trafikut ajror, shërbimet e komunikimit, të lundrimit dhe mbikëqyrjes, shërbimet e informacionit aeronautik, shërbimet meteorologjike për lundrimin ajror dhe shërbimet e hartimit të procedurave të fluturimit në të gjithë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë si dhe shërbime të tjera, në përputhje me standardet, parimet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi”.
“Duke qenë se ligji nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, në nenin 85 e përcakton ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror si ‘një ent publik ose privat’, është e nevojshme që Albcontrol-i të organizohet e të funksionojë si një ent publik, duke u përshtatur kështu me frymën e këtij ligji. Ligji nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, në nenin 94/4 sanksionon gjithashtu se ‘ofruesi i shërbimeve të lundrimit ajror nuk është subjekt fitimprurës, por mbulon nevojat dhe operon me bilance, ku të ardhurat barazohen me shpenzimet’. Forma aktuale e shoqërisë Albcontroll, sh.a., si shoqëri tregtare, veprimtaria e së cilës rregullohet nga ligji nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, bie ndesh me parashikimin e mësipërm ligjor. Kësisoj, organizimi i Albcontrol-it në formën e një enti publik, që ushtron veprimtari jofitimprurëse, është në përputhje me parashikimin e dispozitave të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë. Albcontrol-i, si një ent publik i krijuar me ligj të posaçëm, ka mundësi të realizojë funksionet e tij nga ana ligjore të mirërregulluara, në mënyrë që të ushtrojë veprimtarinë e tij si ofrues i shërbimeve të lundrimit ajror në përputhje me standardet, rregullat dhe parimet ndërkombëtare si dhe legjislacionin e brendshëm në fuqi”, deklaroi Muçaj.























