Ballina Aktualitet

Konstituohet Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Komisioni hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS zhvilloi sot mbledhjen e parë konstituuese në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Ky komision drejtohet nga deputeti demokrat Ervin Salianji, ndërsa nënkryetar është Toni Gogu nga Partia Socialiste.

Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit Ervin Salianji bëri të ditur përbërjen e komisionit, i cili është ngritur me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një periudhë 4-mujore, deri në 21 korrik 2024.

Gjatë prezantimit të objektit të komisionit dhe qëllimit të ngritjes së këtij komisioni, Salianji u shpreh se “qëllimi i këtij komisioni është kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve a mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve publikë të ngarkuar me administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave TIMS”.

Po ashtu, ai theksoi se ky hetim do të synojë kontrollin e zbatimit të ligjeve në fuqi, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative ose ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.

Salianji theksoi se objekti i punës së komisionit hetimor është shqyrtimi i çështjeve që lidhen me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS dhe vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.

“Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë”, tha Salianji.

Salianji theksoi se bashkë me raportin përfundimtar komisioni hetimor do t’i paraqesë Kuvendit në seancë plenare rekomandime që lidhen me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, miratime e ndryshime apo korrigjime të kuadrit ligjor dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për fillimin e çështjes penale.

Salianji tha se midis emrave që do të thirren për dëshmuar në komision është edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërsa shumica e atyre që do të thirren janë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Salianji tha po ashtu se do të hetohet sistemi për patronazhistët e Partisë Socialiste.

“Do të hetohet si dolën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve të Tiranës dhe dalja e listave të pagave për më shumë se 600 mijë qytetarë”, tha ai.

Ndërkohë, nënkryetari i komisionit, Toni Gogu propozoi deputetin Xhemal Qefalia, si sekretar të këtij komisioni, propozim që u votua unanimisht nga të gjithë anëtarët.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSTAMBOLL – 25 persona humbin jetën nga zjarri në një qendër argëtimi
Artikulli tjetërBalluku: Gati 53 milionë lekë më shumë arkëtime në muajin shkurt 2024