Ballina Flash

Dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

PRISHTINË, 24 mars/ATSH/ Sot bëhen 25 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Në Çarshinë e vjetër të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit, rrobaqepësit, zhgunaxhinjtë, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, çergaxhinjtë e çibukxhinjtë.

Ekspertët kanë vlerësuar se Çarshia e Madhe, siç njihet ndryshe, paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Ajo ishte një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks i madh kulturor, historik e fetar në mbarë vendin.

Shtrirja e saj nga veriu në jug arrin në 1000 metra, ndërsa sipërfaqja është 34.000 metra katrorë. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në të u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në të, por u rindërtua pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGonxhja: Projekte me CHwB Albania për rijetësimin e trashëgimisë kulturore
Artikulli tjetërTEL AVIV – Izraeli godet një fabrikë të prodhimit të armëve në Liban