Ballina Aktualitet

Xhixho: Rritja e buxhetit nuk shkon as për pensionistët e as për studentët

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot gjatë diskutimit në seancën plenare të Kuvendit se ka rritje të buxhetit në masën 10.8 miliardë lekë dhe këto janë para që kanë ardhur nga taksat tona, nga TVSH, sigurimet shoqërore, rritja e çmimeve.

“Janë plot 7.9 miliardë lekë, rreth 80 milionë dollarë, që i korrespondojnë rezultatit të akumuluar financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Emergjente do të ishte që ato të shkonin për rritjen e pensioneve për mijëra të moshuar në të gjithë vendin, të cilët nuk i plotësojnë dot vetes as nevojat bazike. Jemi vendi me pensionet më të ulëta në rajon dhe prapë se prapë, paratë e akumuluara nga sigurimet shoqërore nuk i kthejmë te ata që kanë kontribuuar një jetë për sistemin”, u shpreh ajo.

Fatkeqësisht, tha Xhixho, këto para nuk do të shkojnë as për të mbështetur arsimin.

“Në përpjekje për të mbushur universitetet që po boshatisen, në qershor të vitit të kaluar qeveria përdori mashtrimin me bursa. Premtimin se studentët e degëve prioritare do të trajtohen me bursa në masën e një page minimale 400 mijë lekë të vjetra pa asnjë kriter mesatareje, qeveria e përdori si karrem për të rritur regjistrimet në këto degë”, u shpreh Xhixho.

“Pjesa më e madhe e parave që qeveria shpërndan sot do të shkojnë për portin e Durrësit. Këto para që qeveria parashikonte të ishin investim i huaj do të dalin nga xhepat e qytetarëve më të varfër në Europë. Ndaj qeveria ka gjithë këtë urgjencë vetëm dy muaj pasi po me votat e veta miratoi buxhetin. Sepse i duhen paratë e pensionistëve të varfër shqiptarë për projektin 430 milionë euro të portit të Durrësit. I duhen paratë e studentëve të mashtruar me bursa për të kënaqur klientët e vet”, tha Xhixho.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJanar-shkurt, eksportet drejt Kosovës 6.138 milionë lekë
Artikulli tjetërLamallari: Vlerësimet e KE mbi ecurinë e reformave nxisin përparim të mëtejshëm