Ballina Flash

Pse muzika “live” na emocionon më shumë?

ZYRIH, 16 mars /ATSH/ – Muzika emocionon, ky është një fakt. Kënga e duhur është e aftë të prekë akordet më të thella të shpirtit tonë, pavarësisht nëse e dëgjojmë në makinë, në dhomën tonë, ose nëse e ndajmë atë me mijëra njerëz në një koncert, shkruan focus.it.

Megjithatë, në rastin e tretë, kjo ndodh më lehtë dhe shkenca është në gjendje të shpjegojë pse. Me pak fjalë, varet nga funksionimi i amigdalës së majtë, zona e trurit përgjegjëse për përpunimin e emocioneve.

Ekipi i udhëhequr nga Sascha Frühholz i Universitetit të Zyrihut, Zvicër, hetoi pyetjen duke i nënshtruar një eksperimenti 27 njerëz që nuk ishin ekspertë të muzikës.

Studiuesit zhvilluan dymbëdhjetë këngë që zgjasin nga 30 sekonda secila. Gjysma e tyre, të kompozuara me akorde të vogla (më pak harmonike dhe më të ngadalta), kishin për qëllim transmetimin e disponimit negativ, ndërsa gjashtë të tjerat ishin shkruar për të rritur emocionet pozitive.

Kompozimet e shkurtra iu luheshin pjesëmarrësve në mënyrë të rastësishme nëpërmjet një altoparlanti, të ndërthurura me gjysmë minutë heshtje.

Në këtë mënyrë, dëgjuesit – të shtrirë brenda një skaner MRI – nuk e dinin nëse po dëgjonin një regjistrim apo nëse pjesa po performohej në kohë reale.

Çështja është se muzika live mund t’i përshtatet dëgjuesit, ndërsa muzika e regjistruar është gjithmonë e njëjtë.

Për këtë arsye, pianisti përgjegjës u tha që të performonte pjesët duke përshtatur volumin dhe shpejtësinë e pjesës bazuar në aktivitetin e trurit të dëgjuesit, të zbuluar në kohë reale nga skaneri.

Me këtë eksperiment, studiuesit zbuluan se muzika “live”, e cila ishte më fluide dhe dinamike, çoi në një rritje shumë më të madhe të aktivitetit të trurit në amigdalë sesa ajo e shkaktuar nga regjistrimet.

Megjithëse studimi dha përgjigje përfundimtare, ai nuk mori në konsideratë një nga aspektet më të rëndësishme të muzikës live.

“Nëse shkon në një koncert, nuk je vetëm dhe për këtë arsye përvoja emocionale bëhet gjithashtu një përvojë sociale”, shpjegon Frühholz. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Covid-19 mund të jetë prodhuar nga një laborator
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Një… 103-vjeçare në timon pa patentë alarmon policinë