Ballina Aktualitet

16 vite nga tragjedia e Gërdecit

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Ditën e sotme shënohen 16 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

Paraditen e 15 marsit 2008, në Gërdec 10 km larg Tiranës ndodhi shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve, një shpërthim që u ndje fuqishëm edhe në kryeqytet.

Fillimisht ngjarja u klasifikua si një incident teknologjik, por ende sot pas 16 vjetësh familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.

Familjarët e viktimave kanë vazhduar një betejë të gjatë ligjore, ndërkohë që sipas tyre,  përgjegjësit e tragjedisë kanë mbetur ende të pandëshkuar.

Aktualisht, dosja “Gërdeci” po shqyrtohet në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ku i pandehur është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Bilanci i shpërthimit në tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec ishte tragjik me 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe me mbi 100 shtëpi të rrafshuara.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDenaj: Mbështetje 10 mijë lekë për krerë nga Skema Kombëtare 2024
Artikulli tjetërTirana dje, momente nga festimet e Ditës së Verës