TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Policia e Shtetit ka njoftuar masat e marra për mbarëvajtjen e protestës së 20 shkurtit të thirrur nga grupimi i “Rithemelimit” drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, e cila pritet të zhvillohet në orën 17:30, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.
Nga Policia bëhet me dije se janë mbi 1100 forca të policisë që do të angazhohen për të ruajtur rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe pas protestës së ‘Rithemelimit”. Sipas njoftimit, të angazhuara do të jenë forcat e Rendit, FNSH, Forcat Shqiponja dhe Garda e Republikës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.
Po ashtu, pritet që në afërsi të godinave institucionale të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e Kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Policia bën të ditur se do të ketë dhe disa segmente rrugore që do të bllokohen 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.






















