Ballina Aktualitet

Berisha: Zinxhir veprimesh antikushtetuese për arrestimin tim

TIRANE, 25 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët ditën e Krishtlindjes, u shpreh se deputetëve të opozitës iu është mohuar në mënyrë të pashembullt e drejta e ngritjes së komisioneve hetimore.

Ai u ndal në disa zhvillime politike të vitit që po mbyllet, duke theksuar se Rama kërkon të arrestojë liderin e opozitës njësoj si Putini me Navalnin.

Berisha tha se nuk u lejua regjistrimi i emrit të PD-së, ndërsa shtoi se ” jemi sot në këtë situatë kur ai në një zinxhir veprimesh antikushtetuese, ka vendosur që të arrestojë, të dënojë me arrestim Sali Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë provë për një proces që është më i ligjshmi që mund të bëhet”.

Berisha paraqiti sërish argumentet që sipas tij, nuk justifikojnë procesin e dosjes “Partizani”. “E gjithë dacibao e Edi Ramës dhe prokurorëve të tij është e ndërtuar mbi fshehjen e dokumenteve zyrtare. Është formuluar duke mos e pyetur asnjë herë Sali Berishën dhe as Jamarbër Malltezin, sepse dihej se shpjegimet e tyre do asgjësonin pretendimet e tyre”, tha Berisha.

“Unë nuk kam përfillur vendimin antikushtetues të një gjykatëse që është shkarkuar nga Sali Berisha me datën 8 shkurt 1996 dhe në përputhje me ligjin e vendit dhe çdo ligj tjetër të botës jodiktatoriale, ajo nuk mundej kurrë të shqyrtonte dosjen e njeriut që e ka shkarkuar”, u shpreh Berisha.

Ai tha se nuk ka pranuar vendimin e gjykatës, pasi Kushtetuta urdhëron çdo qytetar të mos pranojë asnjëherë një vendim antikushtetues.

“Sali Berisha nuk bëri asgjë tjetër veçse mbrojti Kushtetutën, mbrojti shtetin ligjor, mbrojti ato parime pa të cilat rendi demokratik nuk ekziston dhe u faktoi shqiptarëve se Shqipëria tashmë është një narkokraturë. Se në Shqipëri, shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin”, tha ai.

Sipas Berishës, komuniteti ndërkombëtar ka mekanizmat e vet të veprimit, por theksoi ai, “në asnjë rrethanë mos prisni ju se njeri do vijë të protestojë për ne”.

“Ne duhet t’i dalim zot demokracisë me një protestë të fuqishme në parlament. Ne ia dolëm të pushtojmë lajmin botëror dhe kjo është një fitore e jashtëzakonshme. Ne ia dolëm të bëhemi çështje në kancelaritë e mëdha, por këto janë të vërteta të cilat duhet të na ftojnë ne të mobilizohemi me të gjithë potencialin tonë”, tha Berisha.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia e Shtetit: Gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë për festën e Fundvitit
Artikulli tjetërBesimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen