Ballina Aktualitet

Nikolla: Kuvendi mbështet avancimin e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin Westminster për Demokraci, organizuan sot në mjediset e “Maritim Hotel Plaza” në Tiranë, Forumin Kombëtar “Roli i parlamentit në proceset demokratike në Shqipëri”.

Në këtë forum morën pjesë ish-drejtues si edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, ish-deputeti i Dhomës së Komunëve, John Grogan, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe medies.

Në forum, të cilin e hapi drejtorja Ekzekutive e Fondacionit Westminster për Demokraci, Valbona Kuko, përshëndetën kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, si edhe ish-deputeti i Dhomës së Komuneve, John Grogan.

Në fjalën e saj në forum, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u shpreh se Kuvendi do të vijojë këtë nismë dhe traditë të re, për të diskutuar bashkërisht për çështje që lidhen me parlamentin dhe demokracinë, sidomos me sinergjinë midis parlamentarizmit dhe konsolidimit të vlerave e institucioneve demokratike.

Nikolla solli në vëmendje disa aspekte të rëndësishme të legjislaturës aktuale.

“Konsensusi i plotë mes forcave politike e grupeve parlamentare në çështjen e integrimit evropian si një çështje kombëtare dhe jo politike, aq më pak partiake, është domethënës. Ashtu si shqiptarët janë populli më proevropian i rajonit, po ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë është parlamenti më europeist i rajonit”, tha ajo.

“Kuvendi ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pa asnjë mëdyshje avancimin e reformës në drejtësi. Për një drejtësi të kushtëzuar vetëm nga qytetarët, Kushtetuta dhe interesi kombëtar e publik. Për një drejtësi ku nuk ka e nuk duhet të ketë më asnjë mit dhe ku kultura e paprekshmërisë të zëvendësohet nga parimi i madh dhe i thjeshtë: Askush përmbi ligjin”, u shpreh Nikolla.

“Gjatë kësaj legjislature kemi ndërtuar një bashkëpunim të shkëlqyer dhe produktiv me Kuvendin e Kosovës. Pas nënshkrimit në shtator 2022 të Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Sesionit të përbashkët të dy Kuvendeve në nëntor të vitit të kaluar, shkëmbimet janë intensifikuar”, nënvizoi ajo.

“Bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës për ne nuk është diplomaci parlamentare, por bashkërendim i përpjekjeve për fuqizimin e sistemit dhe të institucioneve demokratike në të dy vendet si edhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat e Kosovës në organizmat parlamentare ndërkombëtare, ku Kuvendi i Shqipërisë është anëtar”, tha ndër të tjera, Nikolla.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, nënvizoi se, “në një kohë ku parlamenti shqiptar po përballet me sfida të vazhdueshme, roli i tij bëhet akoma edhe me i rëndësishëm për të nxitur një sistem politik gjithëpërfshirës”.

“Do të dëshironim të shihnim një parlament konstruktiv, që ushtron rolin e tij mbikëqyrës dhe vepron në interes të popullit shqiptar. Kjo është përgjegjësi për mazhorancën si dhe opozitën. Interesi ynë është një demokraci funksionale dhe efektive.   Për këtë arsye Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset legjislative të Parlamentit përmes programeve me Fondacionin Ëestminster për Demokraci”, u shpreh ambasadori King-Smith.

Në dy panelet e Forumit e morën fjalën ish-kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, Jozefina Topalli, dhe Skënder Gjinushi, ish-zëvendëskryetarët, Fatos Beja, Valentina Leskaj, Neritan Ceka, Adrian Turku dhe Besnik Baraj, ish-kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOSLO – Zelensky: Në pritje të përgjigjes së Orbanit për anëtarësimin e Ukrainës në BE
Artikulli tjetërKomisioni i Ekonomisë miraton projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Unionin për Konservimin e Natyrës (IUCN)