Ballina Flash

1 Dhjetori, Dita Botërore e luftës kundër HIV-AIDS

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Dita Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA) është një ditë reflektimi dhe përpjekjesh jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës.

HIV-AIDS mbetet një nga sfidat e shekullit, jo vetëm në Shqipëri, por për në mbarë botën.

E vendosur që në vitin 1988, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë.

Kjo ditë është një mundësi për partnerët publikë dhe privatë që të rrisin ndërgjegjësimin për pandeminë dhe të inkurajojnë progresin e bërë në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV dhe AIDS anembanë botës.

Sipas shifrave të OKB-së, rreth 80 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar me virusin HIV, që nga rastet e para të raportimit të SIDA-s në vitin 1981 dhe 36,3 milionë kanë vdekur.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it simbolizohet nga fjongoja e kuqe, simboli global i solidaritetit me njerëzit HIV pozitiv dhe ata që jetojnë me AIDS. Ideja për krijimin e një simboli global në luftën kundër HIV/AIDS-it lindi në fillim të vitit 1991 në New York.

Ky është një simbol për solidaritet dhe tolerancë për njerëzit që jetojnë me
HIV/AIDS dhe që shpesh diskriminohen nga publiku.

Në Europë simboli i fjongos së kuqe përkoi fillimisht me të Hënën e Pashkëve të vitit 1992, kur më shumë se 100.000 fjongo të kuqe u shpërndanë gjatë koncertit ndërgjegjësues të Fred Mërkurit (Freddie Mercury) në stadiumin Wembley të Londrës. Po këtë ditë u themelua
Fjongoja e Kuqe Internacionale në Londër.

Fjongoja e kuqe bashkon njerëzit në luftën e përbashkët ndaj kësaj sëmundjeje.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Izraeli rifillon operacionet luftarake pas përfundimit të armëpushimit
Artikulli tjetërPërvjetori i Normales së Elbasanit, institucioni që vuri themelet e dijes e mendimit shkencor shqiptar