Ballina Flash

Qendra Muzeore Durrës pastron muret rrethuese të qytetit

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Qendra Muzeore Durrës ka ndarë një album fotografik me momente shkëputur nga aksioni i për pastrimin e mureve rrethuese të qytetit dhe të krejt zonës muzeore.

QMD u bëri thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë ndaj zhgaravitjes dhe dëmtimit të trashëgimisë sonë kulturore, e cila është pasuri e çmuar e të gjithë komunitetit durrsak.

Nga fotot e ndara në rrjetet sociale dallohen dëmtimet e bëra përmes zhgaravitjes, por edhe puna e punonjësve të mirëmbajtjes për pastrimin e mureve antike edhe prej vegjetacionit.

Muret rrethuese të qytetit janë ndërtuar me blloqe dhe shekujt i kanë kursyer deri në ditët tona. Masivet që shihen sot në Durrës janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I në shekullin IV pas Krishtit. Perandori thuhet se mbrojti qytetin me radhë muresh prej tulle, nga të cilat sot kanë mbetur disa dhjetëra metra. Lartësia e tyre fillestare mendohet të ketë qenë 18 metra dhe gjerësia u jepte epërsi ndaj sulmeve të kundërshtarëve.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.

Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBSH: Durrësi me rritjen më të lartë të kreditimit në 3 mujorin e tretë
Artikulli tjetërBalla: Policia, vigjilente për parandalimin e ngjarjeve kriminale