Ballina Flash

Vjeshta, stina e duhur për të shijuar ngjyrat edhe në Urën e Mesit

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka ftuar vizitorët për të mos humbur rastin për të parë bukuritë që ofron Shkodra në stinën e vjeshtës. Vjeshta, sipas DRTK Shkodër, është stina e duhur për të shijuar ngjyrat.

Kjo ftesë është shoqëruar me postimin në rrjetet sociale të një fotografie mahnitëse të Urës së Mesit. Kjo urë është një urë historike që daton në shekullin XVIII dhe është një nga vendet më emblematike të Shkodrës.

Ura e Mesit është e stilit osman, e ndërtuar mbi lumin Kir. Ajo është e njohur për arkitekturën e saj të veçantë dhe rëndësinë historike në rajon. Ura është një nga vendet më interesante për t’u vizituar dhe shkrepur fotografi për shkak të bukurisë së saj dhe lidhjes së saj me historinë e Shkodrës.

Ura ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës dhe është një monument kulture me vlera të mëdha. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Me gjatësi 108 metra, gjërësi 3.40 metra dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri.

Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Izraeli i kërkon dorëheqjen Guterres për deklaratat për Hamasin
Artikulli tjetërBonusi i Rijetësimit edhe në Qendrën Historike të Shkodrës