Ballina Flash

Masat e Policisë Bashkiake për maratonat e fundjavës, çfarë duhet të dinë qytetarët

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Policia Bashkiake e Tiranës njoftoi sot masat e marra për mbarëvajtjen e maratonave të planifikuara në fundjavë.

Maratona “Fun Run” mbahet ditën e shtunë më 21 tetor në orarin 09:00-11:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në maratonë marrin pjesë mbi 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.

Ndërkohë, më datë 22 tetor, nga ora 08:00-15:00, do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është super “Maratona e Tiranës”.
Në zbatim të urdhrit të kryetarit të bashkisë Tiranë “Mbi planin e lëvizjes së automjeteve, gjatë mbarëvajtjes dhe organizimit të aktiviteteve “Maratona Fun Run” dhe “Maratona e Tiranës 2023” nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe Policisë Rrugore Tiranë është hartuar Plani përkatës i Masave me detyra konkrete të përbashkëta, duke synuar garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të garës, si dhe menaxhimin e trafikut në të gjithë qytetin e Tiranës.
“Gjithashtu ju bëjmë me dije se, Bashkia Tiranë në të gjithë perimetrin e garës në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet, duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme.
Për sa më sipër, me qëllim sigurinë e garuesve, qytetarëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, mbarëvajtjen e Maratonës pa incidente, si dhe lehtësimin e trafikut në qytet, u lutemi qytetarëve të Tiranës: të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private, për lëvizjet e tyre, në datat 21-22 tetor, për të lehtësuar trafikun. Të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.
“Të mos parkojnë automjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore të vendosur. Të heqin vullnetarisht mjetet e parkuara në rrugët
ku do të zhvillohet gara, nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore”, thuhet në njoftim.
“Ata qytetarë që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara orës 08:00 të datës 22 tetor, nëse kanë planifikuar udhëtime, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 15:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin me automjet, nga zona e tyre e banimit që ndodhet brenda perimetrit të garës. Të mos tentojnë të lëvizin me biçikleta, monopatina, apo motorë elektrikë në rrugët brenda perimetrit dhe gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar”, vijon Policia.
Këmbësorët të bashkëpunojnë me shërbimet policore dhe vullnetarët, për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.
/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMUZIKË – ”Hackney Diamonds” album i ri i ”Rolling Stones”
Artikulli tjetërFilmi i ri i Martin Scorsese, sot premiera zyrtare në kinematë e gjithë globit