TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Gjithnjë e më shumë fermerët po rrisin sipërfaqen e tokës së punuar, duke nxjerrë prej saj më të mirat që natyra ofron, fruta dhe perime të freskëta jo vetëm për të përmbushur nevojat e tregut vendas por edhe për t’i eksportuar ato drejt tregjeve europiane e më tej.
“Shqipëria është e bekuar me klimën e mrekullueshme dhe me fermerët e palodhur, që punojnë çdo ditë për të vjela ekselente gati për tryezat e konsumatorëve”.
Kështu e cilësoi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, realitetin e bujqësisë në vendin tonë, teksa ndau sot një video me aspekte nga bujqësia ku shihen të grupuara prodhime të ndryshme bujqësore dhe fushat e punuara.
Bujqësia ka vijuar trendin e rritjes së eksporteve edhe gjatë muajit qershor të këtij viti, duke u ngjitur në vendin e dytë të grupmallrave me kontributin më të lartë në ekonominë kombëtare.
Sipas të dhënave të INSTAT, ky grup ishte i vetmi që vijoi zgjerimin e fortë të eksporteve, me rritje 42.6 %, duke kaluar për herë të parë këtë muaj (qershor) në të dytin më të madh në vend, pas tekstileve e këpucëve, me 18.8 % të totali.
Rritja e eksporteve bujqësore i adresohet politikave efikase mbështetëse që shkojnë drejtpërdrejtë tek fermerët dhe kanë nxitur prodhimin vendas, rritjen e cilësisë dhe të standardeve dhe qasjen e një zhvillimi të ri të zinxhirit ushqimor, përmes investimeve bashkëkohore në pikat e grumbullimit.
Sektori renditet në grupin e dytë me rritjen më të madhe të eksporteve 20.7 %, edhe për 6-mujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave të INSTAT.
Referuar të dhënave zyrtare, ky grup mbetet i katërti më i madh me 13 % të totalit, nga 10 % në të njëjtën periudhë të një viti më parë, teksa trendi i rritjes për “prodhimet bujqësore, ushqimet, pijet dhe duhanin” nuk është ndalur që prej fillimit të vitit, ku në maj sektori iu rikthye rritjes së shpejtë, duke u zgjeruar me 24.6 %.
Fermerët po mbështeten gjithnjë e më shumë nga qeveria përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe programet e tjera që bashkëfinancohen nga donatorët.












