Ballina Flash

Studentët përfitojnë nga format novatore të hulumtimit në Arkivin Qendror Shtetëror

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) mirëpriti në një vizitë një grup studentësh të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, ndjekës të Shkollës Verore “Digital Humanities”.

Vizita u zhvillua me një ndalesë në Sallën e Studimit të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), ku forma novatore e hulumtimit, ka përsosur shërbimin dhe është përqafuar nga të gjitha grupmoshat e studiuesve.

Fjala përshëndetëse drejtuar studentëve u mbajt nga kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, i cili vuri theksin tek rëndësia e arkivave digjitale. “E binjakëzuar” përmes Këndeve Arkivore të çelura në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Salla e Studimit ka lehtësuar qasjen në dokumentacion, duke çuar në katërfishimin e numrit të studiuesve.

Në fjalën e tij, Bido u ndal edhe tek projekti i Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi.

Në këtë hapësirë të re kulturore që i shtohet kryeqytetit, historia dhe trashëgimia dokumentare e kombit do të përcillen përmes teknikave interaktive. Gjithashtu, pjesë e këtij projekti janë krijimi i një hapësire studimi në natyrë dhe i teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh.

Duke përçuar informacionin përmes zbavitjes, Arkivi vjen veçanërisht më pranë rinisë, pasi i adresohet me gjuhën e kohës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLETËRSI – Shkrimtarja ukrainase Victoria Amelina vritet gjatë sulmeve ruse
Artikulli tjetërEuroja dhe dollari amerikan humbasin terren në këmbim me lekun