Ballina Bota

KIEV – WP: Vizitë sekrete e kreut të CIA-s

KIEV, 1 korrik /ATSH-AFP/ – Drejtori i CIA-s, William Burns, së fundmi vizitoi Ukrainën ku u takua me zyrtarë të shërbimeve sekrete dhe presidentin Volodymyr Zelensky, konfirmoi një zyrtar amerikan.

Ky udhëtim, i cili nuk u bë publik në kohën kur u bë, u zhvillua ndërsa forcat ukrainase vazhduan kundërsulmin e tyre, të nisur në qershor në lindje dhe jug të vendit kundër forcave ruse.

”Me këtë rast, Burns ripohoi përkushtimin amerikan për të shkëmbyer informacione për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus”, tha zyrtari amerikan në kushte anonimiteti.

Sipas të përditshmes amerikane ”The Washington Post”, e para që raportoi për këtë udhëtim, udhëheqësit ukrainas prezantuan planet për të rimarrë territoret e pushtuara nga forcat ruse dhe për të filluar negociatat për armëpushim deri në fund të vitit.

”Udhëtimi u zhvillua në qershor”, shton gazeta.

Sipas zyrtarit amerikan, ”Burns ka udhëtuar në Ukrainë siç ka bërë rregullisht që nga fillimi më shumë se një vit më parë i agresionit të fundit nga Rusia”.

”Udhëtimi u zhvillua përpara rebelimit 24-orësh të udhëhequr më 24 qershor nga shefi i grupit paraushtarak rus ‘Wagner’, Jevgeni Prigozhin”, tha zyrtari.

”Kjo kryengritje, e perceptuar si kërcënimi më i keq për autoritetin e Kremlinit në dekada, nuk ishte temë diskutimi”, tha ai.

SHBA ia bëri të qartë Rusisë se ajo nuk kishte luajtur asnjë rol në rebelim.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valery Zalouzhny, tha në një intervistë të botuar dje nga ”Washington Post”, se mungesa e armatimit, veçanërisht e avionëve luftarakë, kufizoi kundërsulmin e Ukrainës.

Të martën, SHBA njoftoi një ndihmë të re prej 500 milionë dollarësh për të mbështetur kundërsulmin, duke përfshirë municione për mbrojtjen kundërajrore dhe mjete të blinduara./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPARIS – 1 000 të arrestuar pas natës së katërt të trazirave
Artikulli tjetërPlani franko-gjerman, Rama: Kosova ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme për të ardhmen e saj