Ballina Flash

Aktivitete artistike në COD, ndërthurja e artit dhe medias

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Qendra për Hapje e Dialog ka mbyllur sezonin veror të ciklit të takimeve artistike “COD/ACT”.

Këtë herë, artistja Ema Andrea interpretoi për publikun fragmente nga romani “Në shtëpi”, i sjellë në shqip nga Botimet Dudaj, shoqëruar nga tingujt virtuozë të muzikantit Fatos Qerimaj.

Ky roman rrëqethës i shkrimtares së madhe amerikane Toni Morrison, fituese e Çmimit Nobel në Letërsi, na zbulon një njeri në dukje të mposhtur, i cili arrin të gjejë burrërinë, por, në fund, edhe shtëpinë, vendin të cilit i përket.

“COD/ACT” do të kthehet përsëri në shtator me të tjera performanca që ndërthurin tekstin poetik e narrativ me magjinë e skenës.

Ndërkohë COD përmes ciklit “ArtistTalk”paralajmëroi një tjetër aktivitet artistik, që do të vijë në jetë në fillim të vjeshtës. “Pressure of Freedom” do të jetë ekspozita e gazetarit të mirënjohur Ilir Paço, i cili ishte i ftuar në COD, në cilësinë e artistit. Së bashku me kuratoren Albana Kozeli, dr. Ahilino Palushi dhe gazetarin Enton Abilekaj u zhvillua një diskutim mbi ndërthurjen e fuqisë së medias me artin, përballë studenteve të arteve dhe arkitekturës. Gazetari solli për të pranishmit edhe një pjesë të skicave të tij, realizuar mbi letrat e lajmeve që prezanton në edicionet informative.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Pentagoni: Balona kineze nuk grumbulloi asnjë informacion
Artikulli tjetërMIE harton planin për sigurinë e furnizimit me gaz natyror në situata emergjence