Ballina Flash

Muzika e pavdekshme e Morricone-s në TKOB

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Koncerti me pjesë nga veprat e kompozitorit Ennio Morricone mund të konsiderohet si një nga kulminacionet e Javës Kulturore Italiane në Shqipëri.

I shumëpritur qëkurse u njoftua se do të ishte pjesë e programit të Javëve Kulturore, koncerti mori vëmendje të madhe dhe arriti të shesë në kohë rekord të gjitha biletat.

Orkestra Simfonike e TKOB-së u drejtua nga maestro Benedetto Montebello ndërsa Kori i TKOB-së nga maestro Dritan Lumshi. Gjatë koncertit performuan dhe dy sopranot: Rovena Xhelili dhe Marina Kurti.

Spektatorët ndoqën muzikën e mrekullueshme të një gjeniu të papërsëritshëm si Morricone, shoqëruar me imazhet filmike, kolonat zanore të të cilëve kanë mbetur në kujtesë. Kompozimet e Ennio Morricone-s janë përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave.

Në përfundim të koncertit, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada italiane, publiku duartrokiti me ovacione performancën e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TOKB.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Ura e Kurçajt në Fushë-Krujë, destinacion turistik që s’duhet humbur
Artikulli tjetërPIKTURË – 3,4 milionë euro për “Buste de femme” të Pikasos