TIRANË, 26 maj /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, në takimin falënderues pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, tha se, “PS-ja ka marrë një rezultat historik në bashkinë e Krujës dhe kjo ka ardhur si rezultat i një pune të madhe”.
“Dua të falënderoj të gjithë strukturat e PS-së dhe të gjithë ata që na votëbesuan. Kemi pasur një betejë jo të lehtë. Kemi kaluar sfida të mëdha në këto 8 vite ne si bashki dhe si qark, por kemi bërë punë të mrekullueshme në të gjithë territorin e bashkisë”, tha ai.
Bushi theksoi se, “ne kemi premtuar se do të bëjmë më shumë punë nga sa ç’është bërë në të gjitha këto vite të demokracisë dhe madje kemi ndarë një material në procesin e fushatës zgjedhore, për të treguar transformimin që kemi bërë përmes investimeve tona”.
“Kemi bërë punë të madhe me infrastrukturën rrugore, kemi bërë dy ujësjellës në qytet dhe kemi ripërtërirë rrjetin e energjisë elektrike. Kemi bërë punë kolosale me rindërtimin, kemi qenë bashkia më e dëmtuar nga tërmeti, por është bërë një punë e madhe jo vetëm për banesat e shumta që i kanë marrë falas qytetarët e prekur, por edhe për infrastrukturën publike si dhe rindërtimin e 18 shkollave me standardet më të mira”, deklaroi ai.
“Ju falënderoj për votën tuaj dhe që na besuat për punët që kemi bërë dhe do të bëjmë në vijim në 4 vitet e ardhshme”, tha Bushi.
/r.e/












