Ballina Flash

Kulla e Isa Kurpalit e shekullit XIX, shpallet Monument Kulture

TIRANË, 13 maj/ATSH/ “Kulla e Isa Kurpalit” do t’i shtohet listës së trashëgimisë kulturore materiale të Qarkut Kukës dhe pasurive kulturore të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.

Bazuar në klasifikimin si pasuri kulturore, Kulla e Isa Kurpalit, është ndërtuar në shekullin XIX. Objekti në fjalë është një banesë me një arkitekturë karakteristike të zonës me vlera historike. Kulla është një ndërtim 3 katësh me muraturë guri.

Kati i parë ishte vendi i bagëtive, kati i dytë ishin ambientet e gatimit ku kanë qenë të ndërtuar qylerë për fjetjen e çifteve të reja, ndërsa në katin e sipërm ishin ambientet e pritjes së miqve.

Kulla fortifikatë e Kurpalëve, u ndërtua me qëllim në pikën strategjike të Qafës së Prushit, aty mes malesh ku nuk gjendej asnjë fortifikim tjetër. Projektimin e saj e bëri vetë strategu ushtarak Sulejman Vokshi, si një nevojë e domosdoshme e vetëmbrojtjes popullore, thuhet në analet historike.

Bajram Sylë Kurpali ishte një legjendë që u përjetësua në këngë e mbeti në histori. Kreshnik i njëmendtë.

Ai u miqësua me plumbat, që gjatë rrugëtimit të tij nëpër flakët e luftërave për liri i hapën tetëmbëdhjetë plagë në trup. Ishte më i vogli ndër katër djemtë e Sylë Kurpalit.

I lindur në vitin më të rëndësishëm të historisë së kombit tonë, në vitin e madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878, ai edhe do të rritet me frymën e kësaj ngjarjeje.

Për tetëdhjetë e gjashtë vjet, sa do të jetojë, ai asnjëherë nuk e ndali luftën, asnjëherë nuk u përul. Dhe përjetoi ngjarje e beteja të mëdha.

Që nga viti 1906, kur edhe u plagos për herë të parë e deri më 1924, ai do të përballoi shumë luftëra e beteja.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis puna për sistemimin e skenës së Festivalit Folklorik të Gjirokastrës
Artikulli tjetërSi trashëgohet artizanati në qytetin e gurtë të Gjirokastrës