TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përmes një mesazhi për Ditën e Evropës, tha se, “9 Maji mishëron idealin, i cili përgjatë shtatë dekadave u shndërrua në projektin politik, ekonomik e kulturor më emancipues e qytetërues të botës moderne”.
“Familja e madhe evropiane, ky realitet për qytetarët e Evropës, është bërë sot ideali demokratik, ëndrra që po prekin shqiptarët dhe frymëzim për të gjithë kombet që aspirojnë për lirinë, demokracinë liberale, vlerat perëndimore”, theksoi ajo.
Nikolla u shpreh se, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonimi i paqes, bashkimit, perëndimit, modernizimit, dhe mirëqenies.
“Evropa është fari që orienton botën e sotme të trazuar, është busulla që tregon lëvizjen e kombeve drejt zhvillimit e progresit, është udhëharta drejt bashkimit, sigurisë dhe paqes.
Ne, shqiptarët, jemi krenarë për rrënjët, identitetin, vizionin, vlerat, të ardhmen tonë të sigurtë europiane”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla.
/m.m/ /gj.m/r.e/





















