Ballina Flash

Drama “Gadjo” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Qendrën Multimedia të Prishtinës, po vënë në skenë dramën “Gadjo”, frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, ndodhur disa vjet më parë.

Drama është shkruar nga Jeton Neziraj dhe vjen me regjinë e Blerta Neziraj e skenografi të Mentor Berishës. Në të interpretojnë Edona Reshitaj, Juli Emiri, Verona Koxha, Rafael Hoxhaj e Blend Sadiku. Kompozitor i veprës është Jindrich Cizek.

Vepra rrëfen dramën e një gruaje të komunitetit rom në Kosovë. E kthyer dhunshëm pas një tentative për të emigruar në Belgjikë, gruaja dhunohet edhe pas kthimit në Kosovë. Një lajm i rremë se një burrë i maskuar si grua, po vidhte fëmijët e Kosovës, u përhap në 2019 në Kosovë e Shqipëri. Si rezultat, gruaja rome u sulmua dhe u rrah brutalisht nga grupe të rinjsh në disa qytete.

Drama “Gadjo” (një term që romët e përdorin për joromët) synon të nxisë debat mbi racizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm te të rinjtë, por po ashtu synon të hulumtojë dhe analizojë këtë shekull të mosdijes dhe intolerancës që nxitet e promovohet nga mediat e papërgjegjshme, në një mjedis ku tregu mediatik është kaotik dhe i pakontrolluar dhe ku nevoja për “klikime” është shndërruar në qëllim sipëror.

“Gadjo” nxit dhe konfronton shoqërinë tonë me romët, mitet mbi ta dhe pozitën e tyre në shoqëri, ku racizmi e përbuzja janë të ngulitura thellë në vetëdijën tonë.

Shfaqja do të shfaqet në Teatrin Eksperimental deri më datë 6 maj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Hekurudha Tiranë-Durrës avancon çdo ditë, përmbyllet në vitin 2024
Artikulli tjetërTEL AVIV – Propozimet e qeverisë Netanyahu shkaktojnë sërish protesta