Ballina Aktualitet

Bozdo: ERE u bë pjesë e mashtrimit me inceneratorin e Elbasanit

TIRANË, 26 prill/ATSH – I. Vata/ Anëtari i kryesisë së Komisionit të Rithemelimit në PD, Enno Bozdo deklaroi sot se, Enti Rregullator i Energjisë u bë pjesë e mashtrimit me inceneratorin e Elbasanit.

Në një deklaratë për mediet, Bozdo tha se, Enti Rregullator i Energjisë ka justifikuar ekzistencën e inceneratorit të Elbasanit, duke e cilësuar atë si funksional, që madje ka prodhuar energji elektrike, dhe jo pak, por 6792 MWh.

“Sa herë që opozita rikthen në vëmendjen e publikut megaaferën korruptive të inceneratorëve, po aq herë qeveria përpiqet të shmangë vëmendjen duke dezinformuar mbi të vërtetën e tmerrshme të kësaj afere. Kësaj radhe instrument i këtij mashtrimi është bërë vetë ERE, Enti Rregullatori i Energjisë, duke justifikuar ekzistencën e inceneratorit të Elbasanit, duke e cilësuar atë si funksional, që madje ka prodhuar energji elektrike, dhe jo pak por 6792 MWh. Kështu pretendon ERE në një dokument zyrtar, të publikuar në faqen zyrtare, “Të Dhënat e Tregut të Energjisë për Vitin 2022”. Sipas këtij dokumenti, Inceneratori i Elbasanit ka prodhuar energji vetëm në një muaj, në muajin gusht 2022. Sasia e energjisë elektrike të prodhuar është në total 6792 MWh (Megavat-orë)”, tha ai.

Po ashtu, Bozdo shtoi se, “Inceneratori i Elbasanit, sipas licencës që ka marrë në ERE ka kapacitetin e instaluar 2850 kW (kilovat) ose 2.85 MW (Megavat)”.

“Sipas të gjitha llogaritjeve teknike, një kapacitet i instaluar prej 2850 kilovat apo 2.85 Megavat, nuk mund të prodhojë sasinë prej 6792 Megavat-orë, por maksimumi që mund të prodhonte është sasia prej 2120 MWh (Megavat-orë). 2.85 MWh x 24 orë në ditë x 31 ditë = 2120 MWh maksimumi që mund të prodhohet. Pra më pak se një e treta e sasisë që ERE pretendon dhe që e ka zyrtarizuar në dokumentin e saj! Kjo shifër konfirmohet edhe Raportin Vjetor të ERE për Vitit 2022, “Mbi gjendjen e Sektorit të Energjisë” që do i paraqitet Kuvendit në muajinqershor 2023. Ky në fakt është edhe qëndrimi publik i administratorit shtetëror Farudin Hoxha, kur dezinformon shqiptarët në lidhje me këtë aferë”, tha ai.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për respektimin e obligimeve të Ohrit
Artikulli tjetërKOPENHAGË – EEA: BE e varur nga përdorimi i lartë i pesticideve