TIRANË, 20 prill/ATSH/ Në kuadër të aktiviteteve që Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit, i ka kushtuar librit akademik, u zhvillua një takim me akademiken Floresha Dado.
Akademikja mbajti një leksion të hapur, me praninë e akademikëve, studiuesve, shkrimtarëve, profesorëve e studentëve, për teorinë e letërsisë, realizmin dhe socio-realizmin në letërsinë shqipe, modernizmin dhe dështimin e post-modernizmit.
Me një karrierë më shumë se 50-vjeçare në studimet shqiptare, lektorja e Teorisë së Letërsisë kërkoi një angazhim më të madh të studimeve shqiptare në çështje bashkëkohore, që kanë të bëjnë me studimin e teksteve dhe periudhave të caktuara të historisë së një letërsie.
Java e Librit Akademik nisi pak ditë më parë me një bisedë me Akademik Anastas Angjelin.
Kjo javë do të mbyllet në Prishtinë, ku përgjatë tri ditëve do të mbahet edicioni i dytë i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Shkencor dhe Akademik, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e librit dhe Leximit.





































