TIRANË, 8 prill/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se fatura që duhet të paguajë Shqipëra nga humbja e çëshjeve në Arbritrazh llogaritet 392 milionë euro.
“Arsyet e kësaj shifre marramendëse lidhen me mënyrën se si qeveria ka trajtuar kontratat publike. Aty ku i ka interesuar ka shpërfillur çdo logjikë ligjore duke i çuar palët në Arbitrazh, ndërsa tek rasti i inceneratorit dhe pagesës së tij e përdor Arbitrazhin si alibi për të vazhduar kontratën 430 mln euro”, tha ajo.
Tabaku reagoi edhe ndaj deklaratës së Kryeministrit Edi Rama i cili theksoi një ditë më parë se po analizohet edhe mundësia e daljes nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit, pasi kjo e fundit la në fuqi vendimin në favor të Francesco Becchetti-t.
“Arroganca dhe mendjelehtësia se askush nuk do japë llogari për abuzimet me taksat e qytetarëve që merren për të shlyer detyrimet e keq qeverisjes do paguhen një ditë. Sa më shumë shtyhet afati aq më e lartë kamata. Për 3 dekada prania në gjykatën e Arbitrazhit na ka dhënë dhe i ka dhënë siguri palës tjetër. Përpjekjet për të ikur nga kjo gjykatë tregojnë përbuzjen e një qeverie për sundimin e ligjit dhe respektimin e pronës edhe sipërmarrjes”, u shpreh Tabaku.
























