Ballina Aktualitet

ILD nis bashkëpunimin me Shërbimin Spanjoll të Inspektimit

TIRANË,7 mars/ATSH – I. Vata/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Madrid me ftesë të Amparo Camazón, shefe e Shërbimit të Inspektimit pranë Këshillit të Përgjithshëm Gjyqësor të Spanjës.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e Shërbimit të Inspektimit spanjoll, drejtuesja Amparo Camazón dhe zv/drejtuesja Elena Burgos e njohën delegacionin shqiptar me organizimin, financimin, funksionet, detyrat dhe shërbimet e tjera kombëtare përgjegjëse për monitorimin dhe vlerësimin e sistemit të drejtësisë në Spanjë, përfshi natyrën e tipologjinë e misioneve, teknologjitë e informacionit e komunikimit, transparencën e komunikimin, mbrojtjen e të dhënave personale dhe marrëdhëniet me jashtë të Shërbimit të Inspektimit spanjoll.

Në ditën e dytë, anëtarë të shërbimit të inspektimit spanjoll bënë disa prezantime mbi sistemin disiplinor në Spanjë, legjislacionin përkatës, nisjen e një veprimi disiplinor, rastet disiplinore, procedura disiplinore dhe njësia e shërbimeve për qytetarët.

Ky bashkëpunim dypalësh me homologët spanjollë është pjesë e bashkëveprimit në kuadër pjesëmarrjes së përbashkët të ILD-së, në Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit.

Shkëmbimi i eksperiencës dhe njohja me praktikat e institucioneve homologe ndërkombëtare është pjesë e vizionit të ILD-së, për të zbatuar standardet më të mira të punës në procesin disiplinor.

Në përfundim të kësaj vizite pune, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, me ftesë të Departamentit të së Drejtës Kushtetuese të Universitetit të Seviljes mori pjesë në një tryezë diskutimi mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVokshi: SPAK konservon dosjet e ish-ministrit të Shëndetësisë
Artikulli tjetërJaponia vetëshkatërron raketën pas lëshimit në hapësirë