Ballina Aktualitet

Begaj uron mësuesit për 7 Marsin: Mision sublim

TIRANË,7 mars/ATSH – I. Vata/ Presidenti Bajram Begaj përcolli sot urimin me rastin e 7 Marsit, për mësuesit shqiptarë kudo që ndodhen.

Në një postim në rrjete sociale, Presidenti Begaj përcolli urimin së bashku me bashkëshorten. “Sot, në Ditën e Mësuesit, unë dhe Armanda duam të urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen për këtë ditë të shënuar”, shkruan Presidenti Begaj.

“Ne, gjatë jetës sonë kemi pasur privilegjin të ushtrojmë edhe mësimdhënien, ndaj e dimë mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë. Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë”, theksoi Presidenti Begaj.

“Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar. Së fundmi, falenderoj dhe të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përçimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë vendit. Gëzuar ditën tuaj mësues të dashur dhe faleminderit nga zemra!”, u shpreh Presidenti.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Të paktën 29 sulme ruse në 24 orët e fundit në Donesk
Artikulli tjetërMësonjëtorja e Parë Shqipe, dëshirë e zjarrtë për të përhapur dijen