Ballina Flash

“Eterna Bellezza” riinterpretimi i skulpturës neoklasike

TIRANË, 1 mars/ATSH/ “Eterna Bellezza”, ekspozita fotografike e cila qëndroi e hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar gjatë muajit shkurt, tërhoqi një numër të lartë vizitorësh.

Ekspozita u promovua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë dhe e sjellë në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.

Eterna Bellezza (bukuri e përjetshme) erdhi si një riinterpretim i skulpturës neoklasike.

Ekspozita bëri bashkë Mimmo Jodice dhe Antonio Canova, dy artistë italianë të periudhave të ndryshme: një nga skulptorët më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian dhe një nga interpretuesit më të mëdhenj të fotografisë bashkëkohore. Kjo lidhje u interpretua si ajo që bashkon idealen dhe realen, trupin dhe shpirtin, materien dhe imazhin.

Mimmo Jodice interpreton 17 skulptura të Canova-s me 51 shkrepje, nga të cilat katër ose pesë kushtuar çdo vepre arti. Ai zgjedh prespektiva dhe këndvështrime duke mbajtur një shkallë 1:1 midis detajeve skulpturore në fokus dhe madhësisë së printimit fotografik.

Nisur nga legjenda se Antonio Canova, kur ua prezantonte punët e përfunduara klientëve të tij, e bënte atë në errësirë ​​dhe vetëm me dritën e një qiri, në të njëjtën mënyrë Jodice përpiqet t’ia kthejë shikuesit këtë pamje nga afër, me një vendosje mjeshtërore të burimeve të dritës dhe një hulumtim të kujdesshëm stilistik.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRrëzimi i kërkesës për Spiropalin, Bylykbashi: Mazhoranca po përdor dy standarde
Artikulli tjetërZgjedhjet e 14 majit, Celibashi: Deri tani janë regjistruar 21 parti