Ballina Flash

100 vjet mëvetësi e Komunitetit Mysliman Shqiptar

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH) dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit (Bashkia Tiranë), ka prezantuar një ekspozitë dokumentare dhe fotografike në kuadrin e 100-vjetorit të Kongresit që kurorëzoi përpjekjet e myslimanëve për mëvetësi.

Çelja e ekspozitës së përgatitur me materiale historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), u zhvillua pranë xhamisë së Et’hem Beut, ku qenë të pranishëm drejtuesit e dy prej institucioneve bashkëpunuese, kreu i DPA-së, Ardit Bido, kreu i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, drejtori i Kulturës në KMSH, Dorian Demetja, përfaqësues të bashkësisë myslimane, studiues, qytetarë dhe dashamirës të historisë.

“Ky vit dhe data e sotme janë shumë të rëndësishme jo vetëm për Komunitetin, por edhe për kombin tonë. Në vitin 1923, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpalli mëvetësinë dhe u themelua si institucion i pavarur në organizimin e të gjithë veprimtarisë së tij”, tha Spahiu.

Ndërsa kreu i DPA, Bido vuri theksin tek gatishmëria e Arkivit për realizimin e ekspozitave të kësaj natyre, që përkojnë me momente kulmore në historinë e shtetndërtimit.

“Mëvetësimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u bë në momente kyçe të shtetndërtimit tonë, duke krijuar një shoqëri me tolerancë fetare me baza atdhetare. Nëse nuk do të ishte kryer ky proces në vitet ‘21-‘24, sot do të kishim përçarje që do të na pamundësonin të punonim bashkë, ashtu sikurse punojmë, pa asnjë dallim mes besimeve fetare”, u shpreh Bido.

Kjo eskpozitë erdhi si fryt i nismave dhe i i bashkëpunimeve të njëpasnjëshme të DPA-së, që kanë si qëllim parësor promovimin e trashëgimisë dokumentare historike të vendit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCështja “McGonigal”, Berisha: FBI dhe Kongresi të hetojnë veprimtarinë e Yuri Kim
Artikulli tjetërHohmann: Shqipëria, Ukraina dhe BE ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë