Ballina Flash

“Karnavalet” transformojnë skenën e TKOB

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit po bëhet një punë e madhe transformuese që gjithçka të jetë gati për “Karnavalet”.

TKOB do të na rikthejë pas në kohë, duke ecur në rrugicat e vjetra me kalldrëm të Korçës, për të hyrë brenda shtëpisë së Nikollaqit, e veshur e gjitha me telajo dhe mobilieri tipike të familjeve të pasura të qytetit, në kontradiktë me shpirtin e tyre të varfër.

Për të përfunduar në një sallon mahnitës balloje, të dekoruar fiks për të shpallur fejesën e Afrovitit.

“Karnavalet” është vepër e repertorit kombëtar, e cilësuar si një nga më të çmuarat e këtij lloji, i ka rezistuar kohës. Ajo madje tingëllon e freskët jo vetëm për nga tematika, por edhe nga rrjedhshmëria e melodive aq të dashura dhe të interpretuara me mjeshtëri nga trupa dhe solistët e TKOB-së.

Kjo vepër rikthehet pikërisht në 95-vjetorin e lindjes së kompozitorit të madh Avni Mula dhe libretistit të mirënjohur Luigj Gurakuqi. Nën regjinë dhe kujdesin e veçantë të Inva Mulës, të bijës së Avni Mulës, i cili shkroi “Karnavalet” mbi komedinë me të njëjtin titull të Spiro Çomorës dhe libret të Luigj Gurakuqit.

Tek “Karnavalet” gërshetohet bukur linja e dashurisë, humori i hollë i personazheve, “pazaret e krushqisë” dhe mënyra e të jetuarit elegante korçare, të cilat kanë lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën e kulturës artistike dhe sociale të shoqërisë sonë.

Me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga virtuozja, Elda Laro, me kostumografi të frymëzuar nga estetika e viteve ’30, kuruar nga Elva Bella dhe skenografi të Romeo Çanit, TKOB premton se, “Karnavalet” s’do t’i harroni kurrë!

“Karnavalet” do të shfaqet për 4 netë rresht, duke nisur nga mbrëmja e datës 25 shkurt.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani sot ndan medalje presidenciale të meritave 
Artikulli tjetërNesër fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë