TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado njoftoi sot se, rreth 340 mijë aplikime janë realizuar gjatë vitit 2022, përmes portalit qeveritar e-Albania, për shërbimet që ofron Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
“ISSH ofron 58 shërbime online, ku më të kërkuara kanë qenë kryesisht aplikimet për pensione pleqërie, rishqyrtime, vazhdime të pensioneve familjare dhe të invaliditetit, si dhe vërtetime të ndryshme periudhash sigurimi”, tha Hado.
Sipas tij, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, ISSH bën të mundur sigurimin e 22 dokumenteve tip shoqëruese me institucionet e tjera, për të lehtësuar procedurat dhe shmangur burokracitë.
“Ofrimi i shërbimeve në rrugë elektronike ka sjellë lehtësi për qytetarët shqiptarë, duke ju kursyer kohë dhe duke siguruar më shumë cilësi për ata”, u shpreh Hado.

/gj.m/























