Ballina Aktualitet

“Fijet”, çmontohen dhjetëra kamera të paligjshme në Shkodër, Lezhë e Dibër

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se po vijon zbatimi i planit operacional policor mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit, si dhe janë iniciuar hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.
Në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera.
Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është iniciuar hetimi për 1 shtetase.
Në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 3 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 shtetas.
Policia e Shtetit informoi se vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShorti i UEFA-s, Shqipëria U-21 në Grupin E
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE në vizitë dyditore në Ukrainë