Ballina Flash

Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

TIRANË, 27 janar/ATSH/ 28 janari njihet si Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ishte Këshilli i Evropës që fillimisht e shpalli këtë datë në vitin 2007, si Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave dhe dy vjet më pas edhe Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA e votoi në unanimitet, duke e quajtur Dita Kombëtare e Privatësisë.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të aktiviteteve për Javën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në funksion të interesit publik, ka përgatitur një video ndërgjegjësuese, me qëllim rritjen e njohurive të qytetarëve për ushtrimin e kësaj të drejte

Njohja, ndërgjegjësimi dhe promovimi në tërësi i të drejtave dhe lirive themelore të individit është një nga detyrat kryesore të autoriteteve publike për forcimin e vetëdijes qytetare. Një shoqëri demokratike e shëndetshme nuk mund të kuptohet pa një proces të vazhdueshëm edukativ për kultivimin e kulturës në ushtrimin praktik të këtyre të drejtave.

Në këtë kontekst, e sidomos duke marrë në konsideratë përparimin teknologjik dhe digjitalizimin, mbrojtja e të dhënave personale është shumë e rëndësishme dhe në themel të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë. Kjo qasje ka për qëllim të rrisë përgjegjshmërinë si në sferën publike, ashtu edhe në atë private, për ofrimin e shërbimeve me cilësi, të sigurta dhe transparente.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Historia e pabesueshme e Albumit të Aushvicit
Artikulli tjetërPeleshi pritet në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III