Ballina Flash

EU4Schools, përfundojnë 37 nga 60 objekte arsimore në rindërtim

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) nënvizon rëndësinë e investimit në edukim si investimi më i mirë për të ardhmen.
UNDP në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po rindërton objekte arsimore të shkatërruara ose dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri.
Programi “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP, po ndërton apo riparon më shumë se 60 objekte arsimore në 11 nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019. Deri tani, kanë përfunduar 37 objekte arsimore.
Projekti “Mbështetja Kroate për Rimëkëmbjen e Arsimit”, i financuar nga qeveria kroate dhe zbatuar nga UNDP ka mundësuar rindërtimin e shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Iliria” në Bashkinë Krujë. Në këtë objekt arsimor të ri dhe modern përfitojnë 156 nxënës e fëmijë dhe 13 pjesëtarë të stafit akademik.
Projekti “Mbështetja për Infrastrukturën Komunitare (CIS)”, me financim nga qeveritë e Danimarkës dhe Mbretërisë së Bashkuar, po rindërton/riparon 3 objekte arsimore në Bashkinë Durrës. Falë kësaj ndërhyrjeje, 740 fëmijë e nxënës janë përfituesit e drejtpërdrejtë.
Ndërtimi i këtyre objekteve arsimore është realizuar mbi bazën e parimeve të “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”, duke garantuar cilësi dhe siguri për përfituesit, si dhe duke angazhuar komunitetin në procesin e rindërtimit.
Monica Merino, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, tha se, “ndërhyrjet tona nuk konsistojnë vetëm në rindërtimin e shkollave, por edhe në përmirësimin e jetës së komuniteteve. Me partnerët tanë si Bashkimi Evropian, Qeveria e Kroacisë, Qeveria e Danimarkës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ne po kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj të Shqipërisë”. /j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Itali, marrëveshje për çështjet e formimit policor
Artikulli tjetërVata: Landfilli i Matit, jashtë funksionit