Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Rritja ekonomike në 2023 parashikohet të jetë 2.6%

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se, politikat e ndjekura nga qeveria ndikuan në mbajtjen e inflacionit në nivele më të ulëta se vendet e tjera të rajonit apo edhe të Bashkimit Evropian.

Ministrja tha se, inflacioni mesatar vjetor ishte në nivelin 6.7 % në vitin 2022, ndërsa në dy muajt e fundit ka nisur edhe ngadalësimin.

“Gjatë vitit 2022 arritëm të kishim inflacion mesatar në vend 6.7 % dhe në dy muajt e fundit ka nisur të ngadalësohet. Për vitin 2022 rritja ekonomike e pritshme është 3.7 %. Politikat që ndërmorëm bënë që inflacioni të jetë i përmbajtur. Kemi bërë të mundur që përmes vijimit të investimeve publike dhe stimulit fiskal të nxisim vijimin e rritjes ekonomike në vend. Për 9-mujorin e parë të vitit rritja ekonomike ishte më e lartë se sa 4 %. Në vitin 2023 rritja ekonomike parashikohet të jetë 2.6 %. Është një rritje që merr parasysh komponentët e brendshëm dhe ata të jashtëm, pasi ekonomia shqiptare është e ndikuar nga faktorë ndërkombëtar dhe kërkesa e huaj”, u shpreh Ibrahimaj në një intervistë në medie.

Ministrja theksoi se, të gjithë treguesit ekonomik vendas flasin për një rritje ekonomike të qëndrueshme.

“Kemi rritje të normave të kreditimit, rritje të kredisë konsumatore që shfaq qartazi se besimi në ekonomi nga individëve vijon të jetë i lartë. Edhe vrojtimet e ndryshme nga BSH apo institucionet e tjera tregojnë se ka ecuri të mirë të besimit”, theksoi ajo.

Nga ana tjetër, vuri në dukje ministrja, ka pasur ecuri të mirë të tregut të punës. Sipas saj, viti 2022 u mbyll me reduktim të normës së papunësisë në nivelet më të ulëta ndonjëherë, si dhe rritje të punësimit dhe numrit të bizneseve.

Ajo renditi turizmin dhe ndërtimin si sektorët që kanë performuar më mirë, por theksoi se, rritja ka qenë e shpërndarë dhe e qëndrueshme.

“Kjo na bën të besojmë se politikat e ndjekura deri tani kanë qenë të duhurat”, shtoi ministrja.

Ibrahimaj theksoi se, rol në ecurinë pozitive ka luajtur edhe vendimi i qeverisë për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, ndërsa u mbështetën edhe biznesi i mesëm dhe së fundmi edhe ai i madh. Kjo pasi, theksoi ajo, do të ndikonte direkt në rritjen e kostove të prodhimit.

Sipas saj, edhe rritja e pagave dhe indeksimi dy herë radhazi, brenda një viti i pensioneve dhe paketa prej 8 miliardë lekësh si mbështetje direkt për mbi 1 milion qytetarë luajti rol.

“Do të vijojmë me këto politika, sepse besojmë fort se në këtë formë do të arrijmë të përballojmë këtë krizë“, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPOLONI – Eksportet e tankeve “Leopard” në Ukrainë synojnë nxitjen e vendeve të tjera për të vepruar
Artikulli tjetërGJENEVË – WMO: 2022, viti i pestë më i nxehtë në një dekadë