TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali zhvilloi një vizitë në Pukë.
Në zbatim të projektit të zbatuar nga bashkia Pukë, me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen, në kategorinë lehtësuese, ministrja Bilali u prit edhe nga kryebashkiaku Gjon Gjonaj.
Pas pritjes në bashki u bë shpërndarja e certifikatave për të gjithë të rinjtë e trajnuar për zhvillimin e ideve të tyre inovative dhe hartimin e planeve të bizneseve.
Bilali mori pjesë edhe në inaugurimin e “Qendrës së Inovacionit”, bashkia Pukë.
Bilali u shpreh se, “falë kësaj qendre, nis një tjetër rrugëtim me fokus mbështetjen dhe këshillimin me të rinjtë e zonës së Pukës në nismat sipërmarrëse”.
“Tashmë të rinjtë kanë disa mjedise për t’u mbledhur, punuar dhe rrjetëzuar”, theksoi Bilali.
“Qendra e Inovacionit” vihet në shërbim të të rinjve për trajnime, takime dhe shkëmbime idesh.
Bilali e mbylli vizitën në Pukë me takime pranë shoqatës AgroPuka, ku u vlerësua aktiviteti i kësaj organizate.





















